Olsin e braktis e dashura për shkak të flirteve në shtëpi

Leonardi është banori i tretë që lë shtëpinë e “Big Brother”. Pas dy femrave, Ingridit dhe Junës, Leonardi është i pari nga 7 meshkujt që del jashtë shtëpie. Gjatë daljes, ai ka kërkuar që deri te dera ta shoqërojë Najada, e kjo “dëshirë e fundit” i është plotësuar pa një pa dy nga drejtuesja e spektaklit, Arbana Osmani. Krah për krah, ata dolën në oborr e më pas, pas një përqafimi tejet miqësor janë ndarë; Najada rikthehet brenda e Leonardi del jashtë duke u takuar fillimisht me prezantuesin e dytë, Eno Popi, i cili i serviri atij një montazh me momentet më të veçanta në shtëpi.

Sakaq, shtëpia është shtuar me dy banorë të rinj: me Mardiola Baçon nga Vlora dhe me Ilda Gegën nga Tropoja, e cila kishte jetuar 11 vjet në Boston.

Por, ndër momentet më të veçanta mbrëmë, ishte përballja e Olsit me të dashurën e tij, e cila i komunikoi ndarjen përfundimtare në ambientet e magazinës së shtëpisë. Nëse mes tyre nuk do ishte një paret xhami mes tyre ndoshta do kishte dhe përplasje fizike. E dashura e Olsit iu hakërrye atij duke e cilësuar të padenjë për të vijuar më tej raportin. Ky reagim i saj që kishte si kryefjalë shprehjen stereotipe: “mes nesh ka marrë fund gjithçka”, ishte si shkak jo vetëm për raportet e Olsit me Najadën, por dhe me të tjera në shtëpi.

Spektakli i mbrëmshëm i “Big Brother Albania”, shënoi kalimin e lojës në një fazë më emocionuese. Pritet të ketë zhvillime të reja, tashmë që tre banorë janë larguar e dy të rinj janë shtuar. Krahas këtyre, është shtuar dhe lufta e “heshtur” brenda shtëpisë e që pritet nga dita në ditë të shpërthejë. Deri më tani, zhvillimet e brendshme, janë konsideruar të vakëta, për shkak se banorët priren të kenë kujdes, të mos rrezikojnë, të mos i afirmohen publikut dhe njëri-tjetrit me të metat e tyre. Por krahas njohjes që sa vjen e bëhet më e plotë për njëri-tjetrin, dalin në pah dhe mangësitë e veset e shumta, që i bëjnë banorët të kenë përplasje të ndërsjella, gjithnjë për të arritur të mbijetojnë deri në fund.

Mbrëmë në spektakël, banorët u prezantuan para publikut me veshje të veçanta, më së shumti popullore tradicionale. Në sallën e spektaklit që ishte mbushur plot, ndodheshin dhe familjarët e miqtë e secilit banor.

Në sallë po ashtu ishin dhe dy banoret e para që lanë shtëpinë, Ingridi dhe Juna, të cilat shprehën opinionet e tyre rreth banorëve, ish-miqve të tyre, duke i parë ata nga jashtë. Juna tha se ishte e përmalluar nga jeta në shtëpi e se do dëshironte të ishte sërish aty. Ajo tha se nuk kishte pësuar asnjë zhgënjim në sjelljet e tyre duke i parë ata nga jashtë.

Drejtuesja e spektaklit, Arbana Osmani, me nurin e një show-girl-i të vërtetë u dha banorëve lajmin e mirë të fitimit të lojës së javës, që shtonte dhe buxhetin e javës. Ajo gjithashtu, intervistoi të nominuarit e javës e veçanërisht, Rominën, rekordmenen e nominimit.

Një ndër momentet më emocionuese të spektaklit ishte dhe një përballje vizuale e Astritit me familjen. Atij iu shfaq në monitor djali i vogël e më pas bashkëshortja që e përshëndeste dhe i thoshte që si ajo e si djali ishte mirë. Këtë moment, Astriti e kaloi duke u përlotur aq sa u bë qull nga sytë e poshtë. Astriti pati pas këtij çasti dhe një moment ekzaltues: atij iu komunikua se mund të qëndronte në shtëpi dhe të vijonte konkurrimin. Pas tij, ishte Romina që e mori lajmin e madh të qëndrimit në shtëpi. Pra, duke evituar për të tretën herë daljen nga shtëpia. Në këtë pikë, Romina mbetet banori më interesant: Ajo nominohet rregullisht dhe po rregullisht i shpëton daljes. Për këtë arsye, përfoljet më të shumta nga banorët e shtëpisë janë rreth personit të saj. Dhe është e natyrshme: të gjithëve u bën përshtypje se si po luan fati me të; të gjithë dyshojnë se ajo fsheh aftësi të çuditshme për ta përballuar sfidën e publikut, duke kalkuluar me sjellje jo të zakonta në shtëpi. Aspak duke u fshehur; madje duke bërë protagonisten në çdo situatë. Por tashmë, në ditët e në javët që vijojnë do pritet dhe një portretizim akoma dhe më tërheqës e interesant: ai i Olsit, të cilit, “lamtumira” e së dashurës, i ka lënë një shije të hidhur në këtë sfidë të vështirë. E ndoshta pikërisht për këtë, vëmendja e publikut do përqendrohet te sjellja e tij, si personi më i ekspozuar karshi gjykimeve, për mirë ose për keq.

Cili është Nardi, që mbrëmë ish-bojaxhiu i “Big Brother”?

Leonard Osmanlliu

Lindur në Tiranë më 31.01.1980

Leonardi është një njeri fare i thjeshtë. Beqar. Ai vjen nga një lagje e Tiranës së vjetër. Ka bërë shkollën e mesme “Partizani” në Tiranë. Ka qenë 10 vjet emigrant në Greqi, ku ka punuar si bojaxhi. Një fatkeqësi familjare e sjell atë në Tiranë në vitin 2007 për të mos u kthyer më në Greqi. Pasi erdhi në Shqipëri gjeti një punë si bojaxhi, punë të cilën e vazhdoi deri në momentin që u përzgjodh për t‘u futur në shtëpinë e “Big Brother”-it. Leonardi është një çun i thjeshtë tiranas, që kohën e kalon te lagjja e tij me shokët në kafene, duke parë sport e duke biseduar për hallet e përditshme të shqiptarëve. Ëndrra e tij më e madhe do të ishte të bëhej aktor, e pse jo aktor i “Portokallisë”, pasi të përfundonte aventura e tij në “Big Brother”.

Burimi: http://www.gazeta-shqip.com/