Besarta nuk ka shkuar ende në Gjilan prej nga erdhi, për të hyrë në shtëpinë e famshme të “Big Brother”-it. Ka mall për Kosovën dhe Gjilanin e saj të bukur, siç e cilëson. Ka mall dhe për shoqërinë e atjeshme e pjesën tjetër të familjes që ende nuk e ka takuar. Atje e presin po ashtu edhe ata që ishin fansa të saj në lojën e “cirkut të nervave” në shtëpi.

Që nga e shtuna, kur ajo nuk është më pjesë e lojës, kanë kaluar 6 ditë. Janë ditë lirie, pas një ngujimi dymujor dhe portreti i saj e tregon qartë shijen e shprangosjes në “dënimin” për të ndarë ekzistencën e saj me ca të panjohur brenda disa metrave katrorë. Është dhe po aq e paqme, siç ka qenë brenda në shtëpi.

Madje, sqaron më poshtë në intervistë, se ku e ka sekretin paqja e saj, e cila gati e la në hije në raport me banorët e tjerë, ngaqë ishte e “paaftë” për të bërë protagonisten me gërricje e me fjalosje parazitare. Më poshtë, 20-vjeçarja kosovare nga Gjilani rrëfen disa mistere të saja.

Si ndiheni 5 ditë pasi keni lënë shtëpinë?
Ndihem shumë mirë. Përveç ditëve të bukura që i kam kaluar në shtëpi, që ishin një mrekulli e vërtetë, këto ditë jashtë janë një vazhdimësi e të ndjerit mirë

Në kuptimin e lirisë: ajër, diell, familja, të afërmit, çfarë?
Të gjitha bashkë. Normalisht është liria, por që vjen pas familjes si gjëja më e shtrenjtë. U çmalla me familjen; kalova ditë të bukura me ish-banorët, të cilët kanë dalë javë më parë dhe me njerëz të cilët më kanë simpatizuar e më kanë përkrahur. Por jam mërzitur pak që nuk kam mundur të kthehem në Kosovë, ku më pret shoqëria dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Më ka marrë malli për Kosovën, e për Gjilanin tim të bukur.

A ndieni mall për shtëpinë që e keni lënë pas?
Do ishte mirë të kisha qëndruar edhe pak. Nuk është se kam mall, por do ta kujtoj me nostalgji. Është kujtimi më i bukur, që besoj se do mbetet për gjithë jetën.

Por për ndonjë person të veçantë ndjeni mall?
Për Arbrin dhe për Polin, për të cilët besoj që edhe pasi të dalin do të jenë po aq të mirë e nuk besoj se do të zhgënjehem prej tyre.

Meqë na doli fjala “zhgënjim” në shteg, kujt i takon kjo fjalë në adresë të banorëve të shtëpisë?
Duket e pabesueshme, por unë nuk ka marrë asnjë zhgënjim, sepse e di që çdo gjë ka qenë lojë dhe secili ka pasur mënyrën e vet të lojës, pavarësisht nga anët e mirë dhe të këqija, që unë si Besartë i kam vënë re dhe aq sa kam arritur t‘i njoh, aq dhe nuk kam arritur t‘i njoh, sepse ndryshe është brenda dhe ndryshe jashtë.

Çfarë konkretisht vini re nga jashtë?
Kur je brenda, je i kufizuar për t‘i shprehur disa gjëra. Ndërsa nga jashtë, liria të jep mundësinë e shprehjes.

Ky është diferencimi që sheh te vetja, po te të tjerët?
Për momentin nuk mund të jap përgjigje. Unë do pres përfundimin e lojës dhe atëherë mund të shprehem për secilin banor, se çfarë i ka karakterizuar në rrethanat brenda shtëpisë e se si janë dukur nga jashtë.

Si ju erdhi kur emri juaj u përmend si banore që duhet të linit shtëpinë?
Të them të drejtën nuk e prisja, por të gjithë ata që e kanë parë emisionin, e kanë vënë re që e kam marrë me shumë qetësi atë moment e me shumë buzëqeshje. E them këtë, sepse dhe jeta jashtë ka shumë përjetime të bukura dhe mjaft gjëra të mira më presin.

Me një fjalë, ishit mërzitur brenda?
Ka pasur çaste e momente ku nuk ka munguar mërzitja, por ka pasur gjëra me të cilat e kam larguar mërzinë. Pa marrë parasysh se sa bukur ishte brenda, pa dyshim që edhe isha pak e mërzitur për familjen dhe jetën jashtë.

Ju përgjithësisht keni qenë e paqtë, pa shumë grindje, zënka, përplasje. Kështu jeni edhe në jetën reale?
Po. Jam tip i qetë dhe unë thjesht nuk jam nisur për në “Big Brother” për t‘u zënë, por për një eksperiencë timen të veçantë. Por nëse do më ngacmonte dikush, do reagoja padyshim, ndoshta edhe ashpër, por kjo për fat të mirë nuk ndodhi. Nuk ndodhi, sepse i kam respektuar të gjithë dhe më shumë se ç‘duhet ndoshta.

Burimi: Gazeta-Shqip.com