Një muaj brenda shtëpisë së “Big Brother” si ishte për ty?

Ishte një muaj që nuk e kam ndier, pasi ia kam kaluar shumë mirë. Jam munduar të shijoj çdo ditë brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Mendoj se u integrova mjaft mirë me banorët e tjerë dhe sigurisht që ishte një eksperiencë që do ta kujtoj gjatë.

Çfarë do të kujtosh më shumë?

Sigurisht që të gjitha momentet që kam kaluar aty ishin shumë të bukura, por më specialet ishin ditëlindjet e Arbrit dhe të Olsit, ku isha ndër balerinat kryesoret. Balerinat e haremit tek Arbri dhe të Lenny Crevits tek Olsi. Gjithashtu prova ku unë duhet të isha Vesa Luma, ishte mjaft e bukur. Hedhjen me kokë tek jacuzzi dhe kërcimin me mollët me Astritin.

Përse hyre në “Big Brother”, çfarë kërkoje nga ky spektakël?

Më duhet ta pranoj që jam i vetmi person që kam hyrë pa strategji. Gjërat erdhën shumë shpejt dhe arsyeja kryesore është se jam një tip që çdo eksperiencë interesante, që rrallë të jepet në jetë, dua ta provoj. Doja të prekja nga afër ndjesinë e të qenit pjesë e karaktereve të ndryshëm brenda një shtëpie. Doja të shihja gjithashtu në do të isha e aftë të rrija për një kohë të gjatë e mbyllur dhe pa kontakt me jashtë dhe mendoj se ia dola. Gjithashtu, për të provuar edhe veten nëse jam vërtet tipi që përshtatem me karaktere të ndryshme.

Cili ishte komenti më i bukur që more nga njerëzit jashtë?

Më vjen mirë që ishin opinione pozitive. Më kanë ndaluar mosha të ndryshme në rrugë e më kanë komplimentuar. Me sa duket tipi im i çiltër u ka pëlqyer të gjitha moshave. I pari që më ka përqafuar ka qenë një djalë 13-vjeçar në studiot e “Top Channel”, që nuk ia mbaj mend emrin, por më bëri shumë përshtypje, pasi më tha: “Po të kishe hyrë që në fillim do të na kishe dhuruar më shumë kënaqësi, ndoshta do ishe edhe në finale”.

Keni rreth 24 orë jashtë shtëpisë së “Big Brother”, çfarë keni bërë gjatë kësaj kohe?

U mërzita pak që mami nuk kishte mundur të vinte në studio. Pasi u prezantova me banorët e tjerë pjesëmarrës në “Big Brother” dhe një bisedë të shkurtër me ta, piva një kafe me shoqet e mia dhe u nisa për në shtëpi. Më vjen mirë që gjithë reagimet që pata në rrugë ishin pozitive. Kur takova babin kam shpërthyer në lot, pasi ai ishte personi që më tepër se të tjerët nuk donte që unë të hyja aty. Në momentin që më përqafoi u emocionua dhe kuptova që nuk e kisha zhgënjyer aspak. Familja ime është shumë krenare për mua, vetëm se janë ndikuar pak nga komentet që janë bërë për të ashtuquajturën “feeling” midis meje dhe Arbrit.

Na trego pak për ngacmimet me Arbrin?

Përpara se të hyja në shtëpi kisha një ide për gjithsecilin prej personazheve që ishin aty brenda. Për Arbrin kisha krijuar imazhin e djalit të mirë inteligjent, por vetëm kaq. Kur hyra dhe u njoha me ta brenda shtëpisë, veçanërisht me Arbrin, kuptova që ai dallon nga 21-vjeçarët e tjerë. Vetë mënyra sesi ai komunikon, apo këndvështrimet që ka në debate të ndryshme, tregojnë që Arbri është mbi nivelin e një 21-vjeçari. Si person e vlerësoj dhe e respektoj shumë, por më vjen shumë keq që janë komentuar “ngacmimet” mes nesh. Në fakt, unë nuk do t‘i quaja ngacmime. Ishte më shumë një shaka e nisur prej tij, duke më propozuar që ne të ishim çifti i tretë i “Big Brother” që do të sponsorizohej për pushime në verë. Që në nisje u tha ok, ti ikën për qejfin tënd dhe unë për qejfin tim.

Më pas, gjatë një loje ku ne luanim rolin e hetuesve, Arbri hedh teorinë që unë po e akuzoja pas një refuzimi që kisha marrë prej tij. E mora sigurisht me humor dhe kur e pyes pse më refuzoi, përgjigjja ishte që ky refuzim ishte refuzim dashurie. Pasi ndjenja që kishte për mua nuk donte të shuhej në një moment. Të nesërmen filluan batutat: “Hë mo Arbri, pse e refuzon gocën, ajo di të gatuajë, është shumë e mirë” dhe gjatë gjithë kohës kjo histori është trajtuar me shaka. Nuk ka se si të cilësohet si një lindje ndjenje midis nesh, pasi unë vazhdoj të respektoj ndjenjën që kam për dikë tjetër dhe sigurisht faktin që Arbri ka një të dashur. Besoj se ngacmimet e mia me të janë keqkuptuar nga njerëz që s‘na kanë parë gjatë gjithë ditës në transmetim. Vërtet e cilësova si dhëndrin perfekt që do të donte çdo prind për vajzën, por jo për një vajzë si tipi im.

Na trego diçka më shumë për ndjenjën që ke për personin tjetër?

Ky person është komplet e kundërta e Arbrit, çka vërteton dhe fjalët e mia të mësipërme. Është një person i cili me respektin dhe dashurinë që ka treguar ndaj meje, më ka bërë të ndihem shumë mirë. Ndjenja vazhdon të jetë e madhe, edhe pse ai momentalisht ndodhet jashtë Shqipërisë. Më vjen shumë keq që rrethanat na kanë larguar nga njëri-tjetri, por falë miqve të mi dhe eksperiencës në “Big Brother” jam përpjekur ta kaloj sado pak mungesën e tij.

Si ndihesh që dole nga shtëpia një javë para finales?

Për mua nata e djeshme ishte një finale e parakohshme, për vetë faktin se unë isha finalistja e gjashtë.

Si e parashikon të dielën, kush mendon se do jetë triumfuesi?

Për mua njeriu më i drejtë aty brenda është Astriti. Ka ato momentet e tij të nervozizmit, pa të cilat mendoj se nuk do të ishte njësoj i këndshëm. Më ngacmonte ndonjëherë për Arbrin, por ia merrja me shaka. Mora vesh që më ka nominuar dhe pse kishim një marrëdhënie shumë të mirë bashkë. Por një njeri i logjikshëm do ta mendonte si të drejtë dhe nuk kam hatërmbetje ndaj tij.

Do doja ta fitonte Astriti ose Olsi. Për sa i përket spektaklit, mendoj se do të jetë gjigant, ashtu si edhe vetë i Presidenti i “Top Media”-s që u nda nga jeta, do ta kishte dëshiruar.

Cilat janë planet tuaja pas daljes nga shtëpia e “Big Brother”?

Kam dëshirë të bëj ca pushime të fuqishme. Më pas shpresoj të më hapet drita jeshile për të vazhduar karrierën si gazetare.

Burimi: Top-Channel