Nata e djeshme, plot surpriza për banorët.
Edicioni i parë i “Big Brother Albania” ka mbyllur siparin dje pas mesnate. Një natë e gjatë, e mbushur plot të papritura dhe emocione është ndjekur nga miliona shikues në të gjithë hapësirat shqiptare. Për gati 3 muaj, 18 banorët që jetuan brenda shtëpisë më të madhe në vend u kthyen në personazhet më të njohur dhe më të diskutuar. Tashmë ata njihen nga të gjithë, me çdo detaj të jetës së tyre, që rrëfyen qoftë në ato pak javë që ndenjën në atë shtëpi. Padyshim, edicioni i parë i “Big Brother” tregoi se ky spektakël ishte një nga më interesantët e prodhimeve televizive shqiptare.
Dhe mbrëmja finale nuk kishte si të mos ishte mbrëmja më e bukur. Një spektakël i zgjedhur ka shoqëruar emocionet e pesë finalistëve, familjarëve të tyre, ish-banorëve të “Big Brother”, por dhe miliona shikuesve që donin të dinin se cili do të ishte fituesi i parë i “Big Brother Albania”.
Të ftuar në studio dje kanë qenë opinionistët tashmë të njohur të këtij spektakli: regjisori Mevlan Shanaj, skenaristi Armand Peza, gazetarja Zefina Hasani. Ata kanë komentuar surprizat dhe banorët në këtë mbrëmje të gjatë finale.
Surpriza e parë për banorët ishte hyrja në shtëpi e futbollistit të njohur Igli Tare. Dhe pak më vonë në shtëpinë e “Big Brother” ka hyrë një nga ikonat e muzikës shqiptare, këngëtarja e njohur Adelina Ismajli. Ajo ka ardhur posaçërisht nga Prishtina për të qenë pjesë e këtij spektakli gjigand.
Por Vëllai i Madh, në ditën e tyre të fundit brenda shtëpisë, kishte rezervuar dhe një surprizë për secilin prej tyre.
Duke ditur pikat e dobëta të secilit, Vëllai i Madh ishte kujdesur që surpriza të ishte vërtet e dashur për banorët.
Arbana i thotë Olsit të shkojë në një magazinë dhe ai e gjen magazinën e sistemuar si salloni i tij. Pasi pret 15 sekonda, aty hyn i ati, një personazh shumë i dashur për Olsin. Tepër emocionues ky moment për Olsin, që mund të takojë të atin pas tre muajsh që s‘e kanë parë njëri-tjetrin. Për gati 2 minuta ata bisedojnë me njëri-tjetrin duke u çmallur.
Një surprizë e këndshme ishte dhe ajo për Astritin. Sërish është e shoqja protagoniste e të papriturës që Vëllai i Madh i kishte përgatitur Astritit. Brenda një sfere të tejdukshme ai gjen në kopsht gruan dhe pranë saj është polici i “Portokallisë”.
Kush mund t‘i mungonte më shumë Najadës brenda shtëpisë së “Big Brother”? Sigurisht që Vëllai i madh e dinte se dashuria për dy motrat ishte aq e madhe për Najadën. Pasi sheh një audiomesazh në dhomën e rrëfimit, menjëherë sapo mbaron mesazhi dalin dy motrat dhe të treja ulen e bisedojnë. Pasi janë çmallur me njëra-tjetrën, ato përcillen të dalin nga shtëpia me këngën e Valbona Halilit.
Emocione ka shkaktuar dhe surpriza për Polin. Ai del në oborr dhe sheh petale që bien nga qielli. Ngre shikimin lart dhe shikon Inën në balonë. Kur del, balona ulet jashtë shtëpisë.
Surpriza për Arbrin ka qenë karakteristike për tipin dhe karakterin e tij patriotik. Arbana e dërgon Arbrin në kopsht, ku hyn grupi “Ali Pashë Tepelena”, duke kënduar. Grupi i njohur shoqërohet nga balerinat e “Portokallisë” dhe më pas futet mbesa e Arbrit, e cila i dhuron atij një qeleshe.
Spektakli i mbrëmshëm ka qenë vërtet i bukur jo vetëm për finalistët dhe ish-banorët e “Big Brother”, por dhe për mijëra fansa që për orë të tëra kanë pritur plot ankth se cili do të triumfonte në këtë mbrëmje të madhe, duke qenë dhe fituesi i 50 mijë eurove.
Por, me mbarimin e spektaklit rrëfimet për banorët nuk mbarojnë këtu. Për 18 personazhet që hapën jetën e tyre duke ia treguar atë publikut, do të flitet më gjatë të premten e ardhshme në orën 20:45, në një puntatë speciale “Big Brother”, për t‘u njohur më mirë me të gjitha prapaskenat që kanë animuar shtëpinë më të famshme të Shqipërisë. Shumë shpejt do të fillojë dhe audicioni për të përzgjedhur konkurrentët e edicionit të dytë të “Big Brother Albania”.

Burimi: Gazeta Shqip