Duket e çuditshme por mesa duket është e vërtetë. Erjoni, djali 25 vjeçar i cili është një nga konkurentët e “Big Brother 3” por edhe një nga më të spikaturit jo vetëm për fizikun e gjatë por edhe për shkathtësinë, është gjendur papritur në shtëpinë e BB bashkë me ish të dashurën e tij. Madje ai është vënë edhe para detyrës së vështirë për ta skualifikuar, gjë që në fakt nuk ndodhi. Nuk e dime nëse Erjoni kishte dijeni paraprakisht që edhe Bertina, vajza 25 vjeçe me kaçurela do të ishte pjesë e spektaklit “Big Brother”, por tani që ata do të bashkëjetojnë së bashku me të tjerë të rinj të panjohur për ta, janë vënë në të tjera pozita. Para së gjithash po bëjnë ç’është e mundur që të mos kuptohen se janë njohur më parë dhe aq më shumë që kanë qenë të dashur.
Miqtë e të dyve na tregojnë se lidhja mes tyre nuk ka qenë një flirt kalimtar por një histori e mirëfilltë dashurie që më pas mori fund. Nuk dihet se cilat kanë qenë shkaqet e ndarjes, por më pas të dy janë parë me partnerë të tjerë. Erjoni një djalë i shkathët, me shumë shoqëri dhe frekuentues i jetës së natës, është parë gjithmonë në shoqërinë e femrave, madje disa foto po i publikojmë edhe këtë radhë por nuk dimë me siguri se çfarë lidhjeje ka pasur me to. Edhe Bertina është parë e shoqëruar me djem të tjerë, pasi duke qenë një vajzë shumë e bukur ka rënë vazhdimisht në sy, edhe të të panjohurve madje. Që mes tyre ka diçka të veçantë, e ka kuptuar dhe shprehur edhe Seldi, një nga konkurrentët ndërkohë që Erjoni e mohon kategorikisht. Të shohim se si do ta vazhdojnë dy të rinjtë lojën e tyre.